Dy anije në Terminalin Lindor: shkarkohen afro 22 mijë ton qymyr, ngarkohen 12.500 ton çimento

Në Terminalin Lindor pritet të përfundojë sot përpunimi i anijes “UBC Tokyo”, e cila ka sjellë 21.824 ton qymyr, porosi e kompanisë “Antea Cement”. Në të njejtin Terminal anija “Vela 1” po ngarkohet me 2700 ton çimento për eksport.

Në Qendrën e Informacionit në APD, mësohet se anija me gjatësi 183 metra është ankoruar në kalatën 10 ditën e shtunë në mesditë. Anija “UBC Tokyo” me flamur dhe port regjistrimi në Limasol – Qipro tashmë ka shkarkuar pjesën më të madhe të ngarkesës dhe do ti hapë rrugë ankorimit të anijes tjetër “Sirios Cement”, e cila do të ngarkojë 12.500 ton çimento për eksport.

Nga të dhënat operative të Qendrës së Informacionit në APD, mësohet se anija “Sirios Cement 1” që nga fillimi i vitit ka mbërritur në port më shumë se 15 herë, duke u ngarkuar mesatarisht me 10 mijë ton çimento për eksport në çdo lundrim. Anija “Sirios Cement 1” me gjatësi 139 metra ka ngarkuar sasi të ndryshme nga 4.500 ton deri në 12.500 ton çimento.