Dy anije turistike luksoze janë ankoruar dje në kalatat 2 dhe 5 të portit të Durrësit.
Nga të dhënat e Qendrës së Informacionit në APD, mësohet se jahti “Mary Jean II”, me flamur të Britanisë së Madhe është ankoruar në kalatën 5 dhe ka një personel prej 15 vetësh. Jahti ka një gjatësi prej 55 metra dhe është nisur drejt Durrësit nga porti i Korfuzit (Greqi).
Ndërkaq, para pak minutash doli nga porti pas një qëndrimi prej rreth 20 orësh jahti tjetër “Wheels”, me port regjistrimi në Valleta (Maltë). Jahti me gjatësi 30.5 metra u ankorua në kalatën 2.
Po sot në kalatat 4 dhe 5 po përpunohen anijet “Altair” dhe “Sea Trader”, nga të cilat po shkarkohen përkatësisht 3297 dhe 5005 ton grurë. Në kalatën 11 të Terminalit Lindor anija “NS Tera” po shkarkon 2486 ton skrap, ndërsa anija “Sirios Cement 1” po ngarkohet me 6200 ton çimento.