E diplomuar në Shkenca Politike, nënë e një vajze të mitur dhe prej më shumë se një viti pjesë e Sigurisë Portuale/ 12 tetor 2020

-Njihuni me 26 vjeçaren, Erisa Lushnjaku, që aplikimin për punësim në APD, e mori si një sfidë për të ardhmen e saj!

Prej më shumë se një viti, Erisa Lushnjaku shërben në Forcën e Sigurisë Portuale Durrës. Ajo vazhdon t’i kujtojë emocionet e ditës së parë të punës, por mban mend gjithashtu edhe kujdesin e kolegëve për t’ia lehtësuar vështirësitë e fillimit.
Erisa është pjesë e grupit të sigurisë në Terminalin e Udhëtarëve, detyrë të cilën e kryen me shumë përkushtim.

E diplomuar në Shkenca Politike dhe me një Master në Gjeopolitikë për Sistemet e Sigurisë, zonja 26-vjeçare nuk u mendua dy herë kur lexoi njoftimin për vendet vakante në Forcat e Sigurisë të Autoritetit Portual.

Madje edhe kur anëtarët e Komisionit portual panë notën mesatare 9 që ajo kishte merituar në Universitetin e Durrësit, Erisa nuk mendoi se duhet të kërkonte një punë në zyrë.

Pasi kishte fituar plot eksperienca shkollimi e pune në vendet ku kishte jetuar, në Lozhan, Tiranë, Gorë, e Durrës, Erisa Lushnjaku ishte e bindur për rëndësinë që kishte puna në Portin e Durrësit për të ardhmen e saj.

Në sektorin ku punon së bashku me 5 vajza dhe gra të reja, Erisa ndjehet mirë, kur bashkë me vigjilencën e shtuar, u jep udhëtarëve edhe informacionet që u duhen. “Bashkëpunojmë me të gjithë përfaqësuesit e institucioneve të tjera brenda territorit portual – thotë Erisa, e cila tregon se bashkë me ndihmesën e kolegëve, punën në këtë sektor ia ka bërë më të lehtë edhe bashkëshorti i saj.

“Arditi më ndihmon veçanërisht për vajzën. Amelia është 3 vjeç dhe kur sëmuret ndonjëherë, kujdesemi sipas orareve të punës dhe të shërbimit – thotë Erisa, e cila e ndërpret bisedën për t’iu përgjigjur interesimit të një udhëtari.