Qyteti i Durrësit është në qendër të ekspozitës fotografike “Continuum”, e cila është hapur ditët e fundit në galerinë “Nikolet Vasia”. Së bashku me pamjet e qytetit antik gjatë shekullit të kaluar, në fotot e autorëve të njohur vijnë edhe imazhet e portit më të madh të vendit.
Kjo ekspozitë në të cilën janë paraqitur mbi 50 foto, vjen pak javë pas tërmetit që goditi rajonin bregdetar dhe sipas organizatorëve “është një dëshirë për të kujtuar se dhe gjeste të thjeshta si fotografia lehtësojnë sadopak”. Organizatorët shprehen se ky grup fotosh në galeri “është një mendim për Durrësin, kur qyteti po përballet me të keqen e njerëzit janë të dërrmuar dhe njëkohësisht është një motiv më shumë për të besuar te Ripërtëritja e qytetit”.
Në ekspozitën që do të qëndrojë e hapur deri në fund të këtij viti, janë paraqitur foto të Durrësit në vite nga autorë të mirënjohur si dhe të pasionantëve të fotografisë artistike si Roland Tasho, Gezim Domi, Elvin Shytaj, Luan Jaupi, Aida Hoxha, Andi Papastefani, Miriam Neziri, etj.