40 vite karrierë dhe ndoshta pak më shumë, mbrapa lentes së aparatit fotografik.
Gëzim Domi, fotografi i mirënjohur, ka mbledhur bashkë me vështirësinë për ti ndarë krijimet e tij nga pjesa tjetër, mbi 200 foto, ku dokumentohet me vërtetësinë e shkrepjes që fikson njëherë e mirë momentin, Durrësi në të gjithë dimensionet e tij, ku sigurisht nuk mund të mungonte simboli i qytetit, Porti.
Arkiva e fotove të Gëzim Domit është një destinacion që mund ta përdorësh si “makinën e kohës”, për t’u kthyer pas, për t’u mbushur me mall dhe nostalgji ku gjejnë veten mijëra durrsakë.
Në ekspozitën e hapur mbrëmjen e 23 qershorit në Muzeun Arkeologjik të Durrësit, ku fokus ishte dhe Porti, që përkon dhe me tematikën e Ditës së Detarit këtë vit: Rrugëtimi i detarisë dje dhe sot! Dallgë të larta, perëndime të magjishme, portrete njerëzore, sheshe historike, natyrë dhe det, për një qytet që e meriton të jetë i lirë.
Për Gëzimin, fotografin që e mësoi dhe kultivoi vetë këtë pasion, në mënyrë autodidakte, duke luftuar çdo ditë me fenomenet e natyrës, duke u ngjitur në majat më të larta të qytetit për të “gjuajtur” foton që ai do, vepra e tij duhet të flasi më shumë se çdo gjë tjetër, ç’ka duket se i ka hije një artisti prej shpirti.
Njëra pas tjetrës në një mbrëmje të bukur fundqershori, u ekspozuan materiale fotografike që datojnë nga vitit 1982 deri në ditët e sotme.
Nga ana konceptuale, ekspozita është ideuar nga djemtë e Gëzimit, Indrit dhe Besmir Domi, të dy po ashtu të ushqyer me dashurinë për fotografinë që të vegjël, duke dashur të vendosin me këtë shfaqje artistike të këtij lloji, një standard të ri për organizimet në qytet.
Një “zhytje” mes fotove, për të shijuar më të mirën e këtij qyteti të gjallë…