Gjatë periudhës janar-korrik 2026, në Terminalin e Trageteve të Portit të Durrësit kanë udhëtuar gjithsej 349,423 pasagjerë.
Nga ky total, 160,795 pasagjerë janë nisur nga Porti i Durrësit drejt porteve të tjera, ndërsa 188,628 pasagjerë kanë mbërritur në vend përmes këtij terminali.
Muaji korrik shënoi fluksin më të lartë të udhëtarëve, me 112,740 pasagjerë të përpunuar. Prej tyre, 29,425 kanë udhëtuar drejt vendeve të tjera, ndërsa 83,315 kanë hyrë në Shqipëri.
Rritja e numrit të pasagjerëve gjatë korrikut lidhet me sezonin turistik veror dhe kthimin e emigrantëve apo turistëve për pushime. Ndërkohë, vijojnë lundrimet me dopio korsë (vajtje-ardhje) nga dhe drejt porteve italiane, për të përballuar fluksin e shtuar të udhëtarëve. Strukturat e Autoritetit Portual Durrës mbeten të angazhuara për të garantuar mbarëvajtjen e operacioneve dhe një shërbim sa më cilësor për pasagjerët.







