APD/CEMA nis kursi profesional për vinçierë portualë

31 Tetor 2025

Autoriteti Portual Durrës (APD), nëpërmjet Qendrës së Ekselencës për Çështjet Detare (CEMA), ka nisur kursin profesional për vinçierë portualë, një hap konkret drejt rritjes së kapaciteteve njerëzore dhe profesionale në sektorin detar shqiptar.

Ky trajnim i specializuar synon përgatitjen e operatorëve portualë të kualifikuar, të aftë për të kryer manovra me vinçat portualë në mënyrë të sigurt, efikase dhe sipas standardeve ndërkombëtare. Gjatë kursit, pjesëmarrësit do të zhvillojnë njohuri teorike dhe praktike mbi funksionimin e vinçave, sigurinë në punë dhe mirëmbajtjen bazë të pajisjeve portuale.

Pas përfundimit të kursit dhe fazës praktike, kursantët do të jenë të pajisur me aftësi për të kontribuar në rritjen e produktivitetit dhe sigurisë operacionale në proceset e përditshme të portit.

Ky aktivitet zhvillohet në kuadër të Strategjisë së të Ardhmes së CEMA-s, e cila ka si objektiv ta shndërrojë Qendrën në një pikë referimi kombëtare dhe rajonale për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit detar dhe transportit ujor, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhetë Bashkimit Europian.

Shtyllat kryesore strategjike të zhvillimit të CEMA-s përfshijnë:

  • Zhvillimin e kapaciteteve profesionale dhe institucionale, përmes programeve të specializuara të trajnimit dhe certifikimit në fushën detare;
  • Përafrimin me kuadrin ligjor dhe rregullator ndërkombëtar, në bashkëpunim me Sekretariatin e Komunitetit të Transportit dhe institucionet partnere në rajon;
  • Nxitjen e inovacionit dhe bashkëpunimit ndërinstitucional, duke krijuar një platformë të hapur për shkëmbim njohurish, kërkime të përbashkëta dhe projekte inovative në logjistikë dhe transport detar.

CEMA është themeluar nga Autoriteti Portual Durrës (APD), në bashkëpunim me Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës (UAMD) dhe Qendrën për Diplomaci dhe Inovacione (CDI), me mbështetjen e Sekretariatit të Përhershëm të Komunitetit të Transportit (TCPS) dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE).

Ky bashkëpunim shumëpalësh forcon rolin e APD-së dhe CEMA-s si shtylla strategjike për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit detar në Shqipëri dhe në rajonin e Evropës Juglindore.