Autoriteti Portual Durrës mori pjesë në Konferencën e Palëve të Interesuara TODIS 2026 (TODIS Stakeholder Conference), e zhvilluar në Beograd nga Transport Community, me pjesëmarrjen e rreth 60 përfaqësuesve të institucioneve dhe aktorëve të sektorit të transportit nga vendet e Ballkanit Perëndimor.
Konferenca u fokusua në forcimin e proceseve të mbledhjes, përpunimit, verifikimit dhe përdorimit të të dhënave të transportit, me qëllim planifikimin më të saktë, monitorimin më efektiv dhe vendimmarrjen e bazuar në evidencë.
Gjatë aktivitetit u prezantuan funksionalitete të reja të platformës TODIS (Transport Observatory Database and Information System), ndër të cilat:
• Treguesit kryesorë të performancës (KPI) sipas Rregullores së re TEN-T 1679/2024;
• Moduli për vlerësimin e reziliencës klimatike të infrastrukturës së transportit;
• Moduli për monitorimin e tregut hekurudhor;
• Proceset e mbledhjes, rishikimit dhe ngarkimit masiv të të dhënave sipas mënyrave të transportit;
• Përmirësimi i koordinimit rajonal për të siguruar të dhëna më të besueshme, të krahasueshme dhe të harmonizuara.
Për Autoritetin Portual Durrës, pjesëmarrja në këtë proces ka një rëndësi të veçantë. Si porta kryesore detare e Shqipërisë dhe një nyje strategjike e rrjetit rajonal të transportit, Porti i Durrësit ka nevojë për të dhëna të sakta, të përditësuara dhe të integruara mbi trafikun portual, kapacitetet operacionale, projektet infrastrukturore, lidhjet multimodale, qëndrueshmërinë klimatike dhe performancën e përgjithshme të sektorit.
Përdorimi i platformës TODIS kontribuon në monitorimin më të mirë të zhvillimeve portuale, identifikimin e nevojave për investime dhe përafrimin e projekteve të Autoritetit Portual Durrës me standardet e rrjetit TEN-T dhe objektivat e integrimit në sistemin evropian të transportit.
Autoriteti Portual Durrës mbetet i angazhuar në forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe në përdorimin e të dhënave si një instrument kyç për zhvillimin e një porti modern, të qëndrueshëm dhe të integruar në korridoret evropiane të transportit.

