15.12.2025
Autoriteti Portual Durrës, në cilësinë e partnerit të projektit ndërkombëtar Zero-C, mori pjesë në Konventën Kombëtare “Zero-C në Sektorin Detar Shqiptar”, zhvilluar në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës, në kuadër të programit Erasmus+ (CBHE). APD u përfaqësua nga Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv, z. Liburn Aliu, i cili ndau vizionin institucional mbi rolin e porteve në tranzicionin drejt një industrie detare më të qëndrueshme, duke vënë theksin te projekti strategjik Durrës-Porto Romano dhe përdorimi i energjisë së gjelbër në infrastrukturën portuale. Konventa u fokusua në strategjitë zero karbon, efikasitetin energjetik dhe përafrimin e arsimit të lartë me kërkesat e tregut të punës. Aktiviteti u përmbyll me nënshkrimin e një Memorandumi Mirëkuptimi me përfaqësues të biznesit, duke krijuar një kornizë bashkëpunimi për iniciativa konkrete në funksion të dekarbonizimit dhe inovacionit në sektorin detar.



