Autoriteti Portual Durrës pjesë e takimit të projektit TREASURE në Pire

30.01.2026

Autoriteti Portual Durrës mori pjesë në takimin e partnerëve të projektit evropian TREASURE, përmes Njësisë së Bashkëpunimit Ndërkombëtar, në kuadër të diskutimeve mbi rezultatet e para të testimit të zgjidhjeve inovative për reduktimin e ndotjes në porte dhe përmirësimin e cilësisë mjedisore në hapësirat portuale.

Gjatë takimit në Pire, Greqi, partnerët u njohën me progresin e deritanishëm të projektit dhe analizuan të dhënat e mbledhura nga faza e parë e pilotimit të teknologjive të reja për sanimin mjedisor. Në vijim, parashikohet zhvillimi i dy fushatave të posaçme në portet pjesëmarrëse, me qëllim monitorimin e parametrave mjedisorë dhe vlerësimin e efektivitetit të masave të zbatuara, duke ndjekur një qasje të integruar dhe inovative të bazuar në Linjat e Evidencës (Lines of Evidence – LOE).

Zgjidhjet e reja të sanimit u përzgjodhën përmes një thirrjeje të dedikuar për interes dhe u prezantuan nga ofruesit e teknologjive gjatë një seminari teknik të posaçëm.

Po ashtu, u zhvillua një seminar për transferimin e njohurive, ku u prezantua modeli i qeverisjes së projektit TREASURE si dhe mjetet kryesore për vlerësimin dhe monitorimin e ndikimit mjedisor në zonat portuale.

Pjesëmarrja e Autoritetit Portual Durrës në këtë projekt forcon angazhimin institucional për zhvillimin e porteve të gjelbra, mbrojtjen e mjedisit detar dhe zbatimin e praktikave të qëndrueshme në përputhje me standardet evropiane.