Dita Ndërkombëtare e Detarisë/ Fjala përshëndetëse e Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të APD, Kreshnik Bajraktari

25.9.2025

Të nderuar të pranishëm, të dashur partnerë dhe miq të sektorit detar,

Është kënaqësi e veçantë që të bëhemi bashkë sot, për të celebruar Ditën Ndërkombëtare të Detarisë, e cila është kthyer tashmë në një traditë të përvitshme në Portin e Durrësit. Kjo ditë, na kujton jo vetëm trashëgiminë e pasur që kemi ndërtuar në brigjet e Adriatikut, por edhe përgjegjësinë që kemi për ta çuar atë përpara për brezat e ardhshëm.

Detaria nuk është vetëm një sektor ekonomik, por një pjesë e identitetit tonë kombëtar, ndaj sot më shumë se kurrë, ajo është një faktor kyç për zhvillimin e qëndrueshëm, për inovacionin teknologjik dhe për përfshirjen e të rinjve në tregun global të punës. Pikërisht për këtë arsye, aktivitetet e sotme, nga ekspozitat te panelet e diskutimit, na ndihmojnë të vendosim në fokus si sfidat po ashtu edhe perspektivat që kemi përpara.

Në Portin e Durrësit, si porta kryesore e vendit, kemi ndërmarrë hapa konkretë për modernizim, investime të qëndrueshme dhe përfshirjen e teknologjive të reja që na afrojnë me standardet më të avancuara europiane. Ne e shohim të ardhmen si një horizont të hapur, ku tradita jonë detare bashkohet me vizionin e inovacionit.

Dy projektet madhore zënë një vend qendror në vizionin tonë, Porti i ri tregtar në Porto Romano, i cili do të jetë një nyje logjistike me gravitet madhor në rajon, por po ashtu edhe projekti i Marinës së Jahteve, i cili me progresin e deri më tanishëm premton transformimin e plotë të ballinës ujore të Durrësit turistik.

Këto investime strategjike do ta transformojnë infrastrukturën tonë portuale, duke e bërë më konkurruese në nivel rajonal dhe duke e kthyer në një pikë referimi për të ardhmen e detarisë shqiptare.

Një vend të veçantë sot zë rinia. Të rinjtë janë forca lëvizëse e së ardhmes, ndaj programet e praktikave që shpallim sot nëpërmjet Qendrës së Ekselencës për Çështje Detare janë një mundësi konkrete për t’i afruar ata më pranë sektorit detar, për t’i pajisur me eksperienca praktike reale dhe për t’i bërë pjesë të këtij transformimi.

Me bindjen se detaria mbetet një nga shtyllat më të rëndësishme të zhvillimit kombëtar dhe një mundësi për progres gjithëpërfshirës, me iniciativën për të bërë bashkë institucionet, akademinë
2 / 2
dhe komunitetin dhe duke investuar në burime njerëzore dhe infrastrukturë, ne po ndërtojmë një industri detare më të qëndrueshme, më konkurruese dhe më premtuese për të ardhmen.

Gëzuar Ditën Ndërkombëtare të Detarisë!

Ju faleminderit!