29.06.2026
Porti i Durrësit përmbylli një fundjavë intensive në sektorin e turizmit detar, duke mirëpritur dy anije turistike që sollën në qytet qindra vizitorë nga vende të ndryshme të botës.
Gjatë fundjavës, në port u akostuan kroçiera “Nautica”, me 665 turistë në bord, si dhe anija e ekspeditave “National Geographic Orion”, me 108 pasagjerë, të cilët vizituan Durrësin dhe destinacione të tjera me vlera historike, kulturore dhe turistike nëShqipëri.
Vizitorët vinin kryesisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Australia dhe vende të tjera, duke konfirmuar interesin në rritje të tregut ndërkombëtar për Shqipërinë si destinacion turistik në Mesdhe.
Mbërritjet e njëpasnjëshme të anijeve turistike shënojnë hyrjen e plotë të Portit të Durrësit në sezonin e kroçerave, duke forcuar rolin e tij si porta kryesore detare e turizmit në vend dhe si një pikë e rëndësishme e itinerareve mesdhetare.


