01.07.2026
Menaxhimi efektiv i projekteve të financuara nga Bashkimi Evropian kërkon njohuri të specializuara, planifikim strategjik dhe një qasje të orientuar drejt rezultateve.
Në këtë kuadër, përfaqësues të Autoritetit Portual Durrës përfunduan me sukses trajnimin intensiv “EU Project Management”, të ofruar nga College of Europe në Tiranë, nëpërmjet programeve të kualifikimit të Qendrës së Ekselencës për Çështjet Detare (CEMA).
Programi i trajnimit u fokusua në ciklin e plotë të menaxhimit të projekteve të financuara nga Bashkimi Evropian, duke trajtuar aspekte kyçe si hartimi i aplikimeve konkurruese, planifikimi dhe menaxhimi i aktiviteteve, angazhimi i aktorëve të interesit, procedurat e prokurimit, administrimi financiar, monitorimi i performancës, raportimi dhe vlerësimi i rezultateve.
Për Autoritetin Portual Durrës, zhvillimi i këtyre kompetencave përbën një element të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve institucionale për projektimin, menaxhimin dhe zbatimin e iniciativave me financim evropian, në mbështetje të modernizimit të infrastrukturës portuale, tranzicionit të gjelbër dhe integrimit të mëtejshëm në rrjetet ndërkombëtare të transportit.


