Porti i Durrësit pjesë e Konferencës Europiane të Porteve “ESPO Conference 2026”

11.05.2026

Autoriteti Portual Durrës mori pjesë në “ESPO Conference 2026”, samiti vjetor i industrisë portuale europiane, zhvilluar më 7 dhe 8 maj në Gdańsk, Poloni. Konferenca mblodhi përfaqësues të porteve europiane, ekspertë të transportit detar, energjisë dhe politikave europiane për të diskutuar mbi sfidat dhe të ardhmen e sektorit portual në Europë.

Nën temën “Competitiveness as a driver of resilience”, diskutimet u fokusuan në mënyrën se si portet europiane po përballen me sfidat gjeopolitike dhe ekonomike, duke ruajtur njëkohësisht ritmin drejt tranzicionit të gjelbër dhe një të ardhmeje më të qëndrueshme.

Gjatë sesioneve të konferencës u trajtuan çështje që lidhen me sigurinë dhe konkurrueshmërinë portuale, investimet strategjike, transformimin energjetik, përdorimin e inteligjencës artificiale, si dhe rolin e porteve në garantimin e qëndrueshmërisë ekonomike dhe logjistike të Europës.

Pjesëmarrja e Autoritetit Portual Durrës në këtë forum europian përbën një mundësi të rëndësishme për shkëmbim eksperiencash dhe forcim të bashkëpunimit me portet dhe institucionet europiane, në funksion të modernizimit të sektorit portual dhe avancimit të proceseve integruese të Shqipërisë në Bashkimin Europian.