Shqipëri–Lituani/Shkëmbim përvoje dhe perspektiva të reja për zhvillimin portual 

15.09.2026 

Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Portual Durrës, z.Liburn Aliu, shoqëruar nga një delegacion shqiptar, zhvilloi një vizitë pune në Portin e Klaipedës, Lituani, ku u njoh nga afër me modelin e zhvillimit dhe transformimit të një prej porteve më të rëndësishme të rajonit të Baltikut. 

Në fokus të vizitës ishin operacionet portuale, zhvillimi i infrastrukturës dhe kapaciteteve për përpunimin e mallrave, si dhe zgjidhjet e energjisë së gjelbër të aplikuara në port. Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve iu kushtua gjithashtu eksperiencës së Klaipedës në zgjerimin e terminalit të kroçerave dhe zhvillimin e infrastrukturës për mjetet e vogla lundruese. 

Shkëmbimi i përvojave me Portin e Klaipedës sjell një perspektivë të vlefshme për sfidat që shoqërojnë zgjerimin dhe modernizimin e infrastrukturës portuale, në funksion të rritjes së kapaciteteve dhe zhvillimit të mëtejshëm të Portit të Durrësit.