29.06.2026
Autoriteti Portual Durrës mirëpriti sot një grup studentësh dhe pedagogësh nga Austria, në kuadër të një vizite studimore të organizuar për t’u njohur nga afër me funksionimin e portit dhe zhvillimet më të fundit në sektorin detar.
Gjatë vizitës, pjesëmarrësit u njohën me historinë, rëndësinë strategjike dhe aktivitetin e Portit të Durrësit, si dhe me rolin e tij në ekonominë shqiptare dhe tregtinë rajonale. Një pjesë e programit iu kushtua prezantimit të proceseve të digjitalizimit, teknologjive të përdorura në operacionet portuale, sistemeve të sigurisë dhe inovacionit që po transformojnë industrinë detare.
Vizitorët u informuan gjithashtu mbi aktivitetin e Qendrës së Ekselencës për Çështjet Detare (CEMA), programet e formimit profesional, mundësitë e praktikave dhe bashkëpunimin me institucionet arsimore, me fokus përgatitjen e brezit të ri të profesionistëve të sektorit.
Vizita vijoi me një tur në terminalet portuale, sallën e monitorimit, infrastrukturën portuale dhe zonat operacionale, ku studentët dhe pedagogët patën mundësinë të njiheshin nga afër me proceset e përpunimit të mallrave, organizimin e operacioneve dhe standardet e sigurisë të zbatuara në port.
Kjo vizitë përbën një mundësi të vlefshme për shkëmbimin e njohurive dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e arsimit dhe sektorit detar, duke i njohur studentët me praktikat dhe zhvillimet bashkëkohore të industrisë portuale në Shqipëri.



