Tremujori i parë i vitit  2026 konfirmon rritjen e qëndrueshme të mallrave në Portin e Durrësit

21.04.2026

Tremujori i parë i vitit 2026 ka shënuar një ecuri pozitive për Portine Durrësit, duke reflektuar zhvillim të qëndrueshëm në sektorin logjistik dhe rritje të shkëmbimeve tregtare me partnerët ndërkombëtarë.

Në total janë përpunuar 924,319 tonë mallra, ose 4.74% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, duke dëshmuar stabilitet në operacionet portuale dhe një ritëm të qëndrueshëm të aktivitetit tregtar.

Eksportet kanë njohur një rritje të ndjeshme, duke arritur në 308,259 tonë, ose 42.41% më shumë. Ky trend është ndikuar kryesisht nga zgjerimi i volumit të mallrave të transportuara me konteinerë, të cilët vijojnë të fitojnë peshë në strukturën e përgjithshme të eksporteve. Ndërkohë, eksportet përmes trageteve kanë pësuar një rënie të lehtë prej 5.8%, ndërsa ato përmes anijeve kanë ruajtur një nivel të qëndrueshëm.

Në anën tjetër, importet kanë arritur në 616,060 tonë, duke shënuar një rënie prej 7.50%. Kjo lidhet kryesisht me uljen e importeve përmes anijeve, ndërkohë që hyrjet e mallrave me konteinerë kanë vijuar rritjen, me një rritje prej 22.52%.

Sektori i konteinerëve vijon të performojë mirë, me një rritje prej36% të volumit të përpunimit. Gjatë këtyre tre muajve të parë të vitit janë trajtuar 59,336 TEU, ndërsa muaji mars shënon performancën më të lartë me një rritje prej 51% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit paraardhës.

Në tërësi, këto rezultate konfirmojnë rritjen e eksporteve dhe forcimin e rolit të transportit të konteinerëve, duke konsoliduar Durrësin si një nyje kyçe logjistike në rajon.