Autoriteti Portual i Durrësit në prag të festave të fundvitit ka marrë disa masa për rritjen e shkallës së sigurisë, nisur nga dita e sotme, deri më 15.01.2022, Forca e Sigurisë Portuale Durrës, do të zbatojë një plan të posaçëm masash për regjimin e hyrje-daljeve, në koordinim me operatorët privatë dhe publik që operojnë brenda territorit të Portit .
Ky plan masash, ka për qëllim sigurimin e kushteve normale të fluksit të pasagjerëve dhe mjeteve në Terminalin e Trageteve në Autoritetin Portual .
Sipas këtij plani, përveç punonjësve të FSPD-së që kryejnë shërbimin e zakonshëm, gjatë kësaj periudhe, në territorin portual do të funksionojnë Grupe të Gatshëm, të gjithë punonjës jashtë shërbimit në kushte normale.
Plani i detajuar parashikon bashkëpunimin me shërbimet e Komisariatit të policisë së portit, të instaluara te Sheshi i Trageteve. Dogana dhe Kapiteneria e portit janë dy institucionet e tjera, me të cilat do të shkëmbehen informacione si dhe do të bashkërendohen veprimet gjatë periudhës së festave. Trajtimi i parkingjeve të automjeteve në këtë periudhë fluksi do të jetë një tjetër detyrë e FSPD-së, në bashkëpunim me Drejtorinë e shërbimeve operacionale në APD.
Gjatë festave të fundvitit numri i udhëtarëve dhe automjeteve që shfrytëzojnë tragetet në portin më të madh të vendit dy-trefishohet, në krahasim me periudhat e tjera të vitit.
Ftojmë të gjithë udhëtarët të informohen në kohë mbi te drejtat dhe detyrimet e tyre gjatë hyrjes apo daljes nga vendi ynë, për të mos hasur pengesa apo vonesa në përpunim.