FESTAT E FUNDVITIT / Nisin lundrimet dyfishe nga brigjet italiane drejt atyre shqiptare

19 Dhjetor 2024

Plan i dedikuar i masave të sigurisë në Portin e Durrësit

Porti i Durrësit, si një nga pikat kufitare me fluksin më të lartë të udhëtarëve në rrugë detare në vend, ka nisur aplikimin e masave të dedikuara për festat e fundvitit. Nga sot tragetet e linjave që lidhin Portin e Durrësit me Barin dhe Ankonën, do të aplikojnë lundrime të dyfishuara vajtje-ardhje brenda ditës. Nga ana e autoriteteve detare, kompanive të  lundrimeve, agjencive doganore dhe Sigurisë Portuale do të aplikohen masa shtesë për pritjen e të gjithë qytetarëve shqiptarë e të huaj që do të hyjnë në vendin tonë në rrugë detare.

Në funksion të përpunimit të shpejtë të udhëtraëve dhe mjeteve të tyre do të jenë 30 sportele.

Implementimi i planit të masave shtesë ka në fokus nivelin e sigurisë kryesisht në ambientet e terminalit të pasagjerëve në Portin Durrës, i cili zbatohet me rigorozitet nga efektivi i Forcës së Sigurisë Portuale në bashkëpunim me të gjitha strukturat që operojnë në port.

Autoriteti Portual Durrës në bashkëpunim me të gjithë operatorët portualë kanë marrë të gjitha masat e nevojshme me synim krijimin e lehtësive dhe shmangien e vonesave për çdo udhëtar që lundron nëpërmjet portit të Durrësit, duke dyfishuar kapacitetet përpunuese dhe duke rritur vigjilencën e sigurisë dhe cilësinë e shërbimeve për ta.

Info :

Përgjatë periudhës janar-nëntor 2024 në Portin e Durrësit janë përpunuar  716 214 pasagjerë, 378 890 prej të cilëve në hyrje dhe 337 324 pasagjerë në dalje.