Forca e Sigurisë Portuale, analiza vjetore 2025 

26 janar 2026 

Forca e Sigurisë së Portit të Durrësit, një nga strukturat kyçe në garantimin e sigurisë në hapësirat portuale ka prezantuar ditën e sotme një pasqyrë gjithëpërfshirëse të veprimtarisë, arritjeve dhe sfidave të saj për periudhën janar- dhjetor 2025, në të cilën morrën pjesë kreu i Autoritetit Portual Durrës, z. Liburn Aliu,  drejtues të kësaj force, drejtues të divizioneve të APD-së si dhe krerë dhe bashkëpunëtorë të institucioneve partnere, të cilat operojnë në port.

Drejtoria e Forcës së Sigurisë Portuale ka riafirmuar edhe njëherë rolin e saj strategjik në mbrojtjen e infrastrukturës kritike, garantimin e sigurisë së anijeve, pasagjerëve dhe personelit, si dhe në administrimin e sigurt të territorit portual, në përputhje të plotë me legjislacionin kombëtar dhe standardet ndërkombëtare ISPS.

Gjatë vitit 2025, efektivi i Forcës së Sigurisë ka garantuar një nivel të lartë gatishmërie operacionale përmes kontrollit të hyrje-daljeve, patrullimeve tokësore dhe detare, monitorimit 24/7 me sisteme CCTV dhe reagimit të shpejtë ndaj incidenteve. Aktiviteti operacional është mbështetur nga pajisje dhe mjete të specializuara, patrulla detare funksionale, si dhe nga kontributi i polumbarëve në sigurinë nënujore dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës portuale.

Një tjetër komponent thelbësor i veprimtarisë së kësaj strukture gjatë vitit 2025 ka qenë menaxhimi dhe kontrolli i lejeve të hyrje-daljeve në territorin portual. Përmes funksionimit të Njësisë së Lejeve, është garantuar kontroll i rreptë i aksesit për këmbësorët dhe automjetet, duke influencuar drejtpërdrejt në rritjen e sigurisë dhe performancës financiare të portit. 

Gjatë vitit që lamë pas janë regjistruar 34,968 leje për këmbësorë dhe 83,837 leje për automjete, si dhe janë rinovuar 2,837 leje për këmbësorë dhe 1,668 leje për automjete, çka ka forcuar disiplinën operacionale dhe ka siguruar një administrim transparent, efikas dhe të kontrolluar të qarkullimit brenda zonës portuale.

Një rëndësi e veçantë i është kushtuar trajnimit profesional, stërvitjeve periodike dhe përgatitjes fizike të efektivit, duke e konsoliduar Forcën e Sigurisë Portuale si një strukturë elitare dhe të besueshme. Bashkëpunimi i ngushtë ndërinstitucional me Policinë e Shtetit, Policinë Kufitare, Doganat, Kapitenerinë e Portit, shërbimet e emergjencës, si dhe mbështetja operative për anijet e NATO-s dhe KFOR-it, kanë garantuar reagim të koordinuar dhe efikas në çdo situatë.

Përgjatë vitit që lamë pas, Forca e Sigurisë së portit më të madh në vend është angazhuar aktivisht nëpërmjet Repartit Zjarrfikës në mbështetje të komunitetit, përmes ndërhyrjeve gjatë situatave të zjarreve në sezonin veror dhe përballimit të përmbytjeve në periudhën e dimrit, ku janë angazhuar pompat thithëse për largimin e ujërave dhe minimizimin e dëmeve materiale. Këto ndërhyrje kanë dëshmuar gatishmërinë dhe rolin e tyre si faktor i rëndësishëm në menaxhimin e emergjencave civile brenda territorit portual por edhe në komunitet.

Analiza evidenton gjithashtu përmirësimet në menaxhimin operacional, funksionimin e Sallës Ndërinstitucionale Operacionale, rritjen e kontrollit të aksesit si dhe një performancë shumë të mirë në aspektin e sigurisë dhe shëndetit në punë, me zero aksidente gjatë vitit. Objektivat për të ardhmen fokusohen në modernizimin e teknologjisë së sigurisë, rritjen e kapaciteteve njerëzore dhe forcimin e mëtejshëm të standardeve të sigurisë në kryeqendrën portuale të vendit.  

Në përmbyllje të analizës vjetore, u zhvillua ceremonia e ndarjes së certifikatave të mirënjohjes për disa prej punonjësve aktualë të Forcës së Sigurisë së Portit, si vlerësim për profesionalizmin dhe performancën e tyre në ushtrimin e detyrës. Njëkohësisht, u akorduan edhe certifikata vlerësimi të veçantë për ish-punonjës të Forcës së Sigurisë, të angazhuar ndër vite, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e jashtëzakonshëm dhe përkushtimin e treguar në garantimin e sigurisë portuale.