Forcat e FSPD bllokojnë të riun me drogë në Terminalin e Trageteve

Forcat e Sigurisë Portuale FSPD kanë demostruar këto ditë një tjetër akt profesionalizmi në kryerjen e detyrës.

Ndalimi i një personi që tentoi të udhëtonte me një sasi lënde narkotike heroinë në Terminalin e Trageteve dhe që u bë i njohur nga mediat fundjavën e kaluar, ka patur si protagonistë efektivët e FSPD.

Nga raporti zyrtar që iu paraqit Drejtorit të Përgjithshëm të APD mësohet se mbrëmjen e së premtes një nga punonjësit e FSPD pas kontrollit rutinë ka pikasur një person, që tentoi të largohet me vrap. Ndërsa grupi I punonjësve në pikat e sigurisë është vënë në lëvizje për të bllokuar personin, në sallën operative kanë monitoruar me kamera të gjithë ngjarjen.

Pasi kanë ndaluar të riun punonjësit e FSPD kanë konstatuar në trupin e tij katër pako me lëndë narkotike dhe menjëherë kanë njoftuar Policinë Kufitare për veprime të mëtejshme.

Në kuadër të rekomandimeve të Rojes Bregdetare të SHBA, në portin e Durrësit janë rritur masat e kontrollit dhe të sigurisë.