Forcimi i kapaciteteve teknike dhe operacionale, në fokus të punës së Autoritetit Portual Durrës

29 korrik 2025

Autoriteti Portual Durrës vijon të përqendrojë përpjekjet drejt forcimit të kapaciteteve teknike dhe operacionale, si pjesë e strategjisë për rritjen e sigurisë, efikasitetit dhe cilësisë së shërbimeve portuale. Përmes bashkëpunimeve me partnerë teknologjikë të specializuar dhe përmirësimeve të vazhdueshme në infrastrukturë, APD synon të garantojë standarde të larta operacionale në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare.

Në këtë kontekst, kreu i Autoritetit Portual Durrës, z. Kreshnik Bajraktari, zhvilloi një takim zyrtar me përfaqësuesit e kompanisë Bosch Security Systems B.V., z. Ioannis Chatzis, District Manager, dhe z. Alexandru Nataprazu, Regional Product Manager për sistemet video.

Ky takim vjen në kuadër të bashkëpunimit teknik dhe të vazhdueshëm për mirëmbajtjen dhe zhvillimin e infrastrukturës së sigurisë në port. Në fokus të diskutimeve ishin përmirësimi i funksionalitetit të sistemeve ekzistuese të CCTV-së, si dhe identifikimi i mundësive për përditësim teknologjik dhe integrim të mëtejshëm të zgjidhjeve të avancuara të sigurisë.

Përfaqësuesit e kompanisë ndanë ekspertizën e tyre mbi menaxhimin efikas të pajisjeve të instaluara dhe prezantuan praktika të mira ndërkombëtare në fushën e monitorimit dhe sigurisë fizike, të përshtatshme për ambiente portuale me fluks të lartë operativ.