FSHF: Ekipi i APD, pjesmarrës në Kampionatin rajonal të minifutbollit

Autoriteti Portual Durrës është pjesmarrës në Kampionatin rajonal të minifutbollit, i cili organizohet për herë të parë nga Federata shqiptare e Futbollit. Skuadra përfaqësuese e APD, së bashku me 8 ekipe të tjerë nga qarku i Durrësit dhe Krujës ka nisur që prej dy javësh turneun me sistem rrethi, gjatë të cilit skuadrat do të ndeshen nga dy herë me njera tjetrën.

Ekipi i APD ka fituar në takimin e parë ndaj skuadrës së Ujësjellës Kanalizime Durrës UKD me rezultatin 8-5, ndërsa në takimin e fundjavës së kaluar ka barazuar 6-6 me skuadrën “Durrësi i Ri”.

Përfaqësuesi i Zyrës Rajonale të FSHF, Arbër Kalemi tha se ndeshjet e fazës së parë do të përfundojnë brenda këtij viti. Kampionati Kombëtar i Minifutbolli është një iniciativë e re e Federatës Shqiptare të Futbollit. Ai zhvillohet në bazë rajonesh, në Tiranë, Durrës, Shkodër, Fier, Elbasan dhe Korçë. Më pas, fituesit e çdo rajoni do të zhvillojnë në Tiranë, fazën Play Off pas të cilës do të shpallet edhe kampioni kombëtar. Ndeshjet zhvillohen me sistemin vajtje-ardhje me një kalendar të rregullt, me dy faza.

Në turneun rajonal të Durrësit marrin pjesë 9 ekipe: “Gotech Electronics”, “Teuta / Futsal”, “Durrësi i Ri”, “Autoriteti Portual Durrës”, “Korabi”, “Edge Football Club”, “Iliria” Fushë-Krujë, “Ujësjelles Kanalizime” Durrës, “New Shesh”.

Për fituesit rajonalë dhe kombëtarë do të ketë premio:

  1. Kampioni Kombëtar do të përfitoje: 300.000 lekë dhe pjesëmarrje në kompeticionin UEFA Futsall Champions League, me shpenzimet e FSHF-së.
  2. Nënkampioni Kombëtar do të përfitojë: 100.000 lekë.
  3. Kampioni Rajonal do të përfitojë: 50.000 lekë dhe 5 topa.
  4. Nënkampioni Rajonal do të përfitoje: 25.000 lekë dhe 5 topa