Fundjava, priten 9 anije tregtare në port

Gjatë kësaj fundjave në portin e Durrësit priten 9 anije me mallra, dy nga të cilat kanë mbërritur tashmë në radën portuale.

Burimet e dispeçerisë bëjnë me dije, se aktualisht në kalatat 1 dhe 2 po shkarkohen anijet “Frosina” me përkatësisht 4016 ton çimento dhe 2031 ton skrap, ndërsa në kalatën 6 vazhdojnë të përpunohen 205 kontejnerë nga anija “MSC Augusta”. Burimet bëjnë me dije se në kalatën 10 ndodhet gati pë rnisje anija “Peak Berger”.

Ndërkaq në radën portuale kanë mbërritur anijet “Ali B” dhe “CPT Ahmad II”, me 10.900 ton skrap metalurgjik gjithsej. Deri të djelën në kalatën 6 pritet të ankorohen edhe anijet “Ecem Kalkavan” dhe “Moreno” me afro 650 kontejnerë. 4 anijet e tjera që pritet të nisin përpunimin gjatë fundjavës do të sjellin mbi 12200 ton skrap, sojë, çimento dhe hekur, ndërsa një tjetër do të ngarkohet me 4400 ton krom për eksport.

Gjatë periudhës janar-maj në portin më të madh të vendit janë përpunuar më shumë se 1.4 milion ton mallra gjithsej.