Fundviti: trefishohen tragetet me udhëtarë, përpunohen 6 anije tregtare 26 dhjetor 2014

Në portin e Durrësit në 10 ditët e fundit të këtij viti është shtuar numri i trageteve me udhëtarë e automjete, si dhe i anijeve tregtare me mallra.

Që prej një jave në Terminalin e udhëtarëve ankorohen 5-8 tragete çdo ditë, të cilët sjellin nga portet e Barit, Brindizit dhe Ankonës (Itali) qindra udhëtarë, kryesisht bashkëatdhëtarë, emigrantë në vendet e Evropës perëndimore, që vijnë për të kaluar pushimet e fundvitit pranë familjeve të tyre në vendin tonë, Kosovë dhe Maqedoni.

Falë bashkëpunimit të Autoritetit portual me Komisariatin e policisë portuale, Doganën dhe Kapitenerinë, përpunimi i udhëtarëve dhe automjeteve është kryer në periudha shumë të shkurtëra kohë.

Ndërkaq, sot, thuajse të gjitha kalatat e portit janë zënë me anije tregtare në proçes përpunimi, me një sasi të përgjithshme prej 12.200 ton mallra dhe 318 kontejnerë. Në portin më të madh të vendit mëngjesin e së premtes po shkarkohen katër anije, ndërsa dy të tjera sapo kanë përfunduar procesin e përpunimit.

Në radën portuale presin të hyjnë gjatë ditës në port pesë anije me mallra, gjithsej 10.800 mijë ton, dhe një tjetër me 170 kontejnerë. Nga dispeçeria e portit mësohet gjithashtu se gjatë ditës së premte pritet të mbërrijë në radë edhe një anije tjetër me 6 mijë ton mallra.