Gazjellësi TAP: në kalatën 10 shkarkohen edhe 4. 515 ton tuba çeliku

Në kalatën 10 të portit të Durrësit po përpunohet anija “Phoenix”, nga e cila po shkarkohen 4515 ton tuba çeliku. Kjo është anija e 14-të me tuba, që po shfrytëzohen për shtrimin e Gazsjellësit TAP në territorin e vendit tonë.

Ndërkaq mësohet se anija e fundit me tuba çeliku për Gazsjellësin TAP do të ankorohet në Durrës në gjysmën e dytë të muajit qershor të këtij viti.

Që prej 14 muajsh, 13 anije të tjera tregtare kanë sjellë në portin e Durrësit mbi 120 mijë ton tuba çeliku gjithsej, që do ti shërbejnë Gazjellësit. Përpunimi i anijeve dhe makinerive për gazjellësin TAP ka nisur më 4 prill të vitit të kaluar në Terminalin Lindor të portit më të madh të vendit.

Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) do të nisë në kufirin midis Turqisë dhe Greqisë. Nga kjo pikë TAP-i do të vazhdojë në pjesën tokësore, duke përshkuar të gjithë territorin e Greqisë së Veriut, që është dhe pjesa më e gjatë, dhe më pas për 215 km do të vazhdojë drejt perëndimit përmes Shqipërisë deri në bregdetin e Adriatikut.