Udhëtarët që zbresin në portin e Durrësit do të kenë informacionin e domosdoshëm për qendrat historike dhe turistike të vendit tonë. Që nga dita e premte një Zyrë Informacioni Turistik ka nisur të funksionojë në terminalin e udhëtarëve. Hapja e Ifo Point është mundësuar në bashkëpunim me Agjencinë turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA).
Pranë Zyrës së Informacionit Turistik në portin e Durrësit përveç fletë palosjeve, hartave dhe broshurave me të të dhëna turistike që ofrohen falas është instaluar edhe një ekran touchescreen, përmes të cilit informacionet turistike mund të vilen drejtpërdrejt nga turistët dhe udhëtarët e interesuar.
I pranishëm në ceremoninë e
përurimit, ministri i Turizmit, Visar Zhiti theksoi rëndësinë e informimit të
udhëtarëve dhe turistëve në pikat kryesore hyrëse të vendit. Ai shtoi se kjo
është Zyra e dytë e informacionit turistik, pas asaj që u përurua në terminalin
e aeroportit “Nënë Tereza”, gjithmonë në bashkëpunim me TIKA.
Me këtë rast ministri Zhiti falenderoi qeverinë turke për mbështetjen e veçantë që ka dhënë edhe në fushën e promovimit turistik të vendit tonë.
Ambasadori I Republikës së Turqisë në Tiranë, Hasan Ashan,theksoi rëndësinë e zbatimit të këtij projekti në fushën e turizmit, duke nënvizuar kapacitetet e mëdha turistike të vendit tonë. Ai shtoi se bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Turqisë në fushën e turizmit do të jetë intensiv edhe në të ardhmen.
Nëpërmjet portit të Durrësit udhëtojnë çdo vit me tragete rreth 850 mijë udhëtarë vendas dhe të huaj. Terminali i ri i udhëtarëve u përurua një vit më parë.