(Histori) Ekspozita e detarëve nga Durrësi dhe Ulqini rikthen traditën e portit

Një ekspozitë e veçantë për traditën e detarisë shqiptare që u hap kohët e fundit në galerinë ë arteve “Nikolet Vasia”, riktheu në qytet edhe atmosferën e portit të Durrësit në fillim të shekullit të XX.

Ekspozita e përbashkët e organizuar nga shoqata e detarëve “Adrijon” dhe projekti i detarëve ulqinakë “Liburna”, përveç tablove dhe maketeve të anijeve të punuara në vite, solli në vwmendje edhe dokumente e foto nga detaria ulqinake, në fillim të shekullit të kaluar.

Shoqata kombëtare e detarëve “Adrijon” përmes 20 paneleve të përgatitura kohët e fundit,   dëshmoi historikun e detarisë shqiptare gjatë 100 viteve të fundit. Në galerinë me foto-fakte të shoqatës me qendër në qytetin tonë bashkë me pamjet e portit më të madh të vendit gjen material edhe për familjet e detarëve nga Ulqini që u vendosën në Durrës një shekull më parë.

Ndërkaq, në fotoekspozitën që mbërriti nga qyteti i Ulqinit u dëshmua me foto dhe dokumente tradita e detarisë së ulqinakëve dhe anijet e tyre në fillim të shekullit të kaluar. Në një eksponat të vecantë pjesëmarrësit u njohën me botimet dhe librat e publikuar gjatë viteve të fundit për detarinë shqiptare.