Zija Biduli, pjesën më të madhe të jetë së tij e ka kaluar në det. Djali i madh i familjes Biduli është lidhur me detin që në moshë të vogël, kur për nevoja ekonomike hyri në punë në Kantierin detar.
“Ne jemi gjashtë fëmijë dhe Zijai është vëllai ynë i madh-tregon Mustafa Biduli, një nga artistët e njohur skulptorë të qytetit tonë. E filloi punën që kur ishte 11 vjeç, në sezonin e verës dhe më pas nuk u shkëput më nga puna dhe nga deti”.
Në Itali, pa pasaportë
Zija Biduli u lind më 22 gusht të vitit 1935. Rruga e tij si detar ka nisur thuajse nga hiçi, atëherë kur duke punuar pranë anijeve në Kantier u afrua me njerëzit dhe mjetet e Flotës detare.
“Asim Zeneli” ka qenë barka e parë për Zija Bidulin 15-vjeçar. Kapiten ishte Hysen Matlija, një nga njerëzit më të shquar të detit, kujtojnë marinarët veteranë. Pak muaj më vonë Biduli i ri kryen lundrimin e parë drejt Italisë me anijen “Kurveleshi”. Detarët dhe familjarëte tij e mbajnë mend këtë udhëtim të Zijait adoleshent, i cili ende i vogël në vend të pasaportës kishte marrë me vehte nga Durrësi një çertifikatë personale.
Kursi 1-vjeçar i detarisë ka qenë shkolla e parë e vërtetë për Zija Bidulin. Megjithëse i ri në moshë, djaloshi ka pranuar ta fillojë kursin vetëm kur drejtori Zihni Muço e ka siguruar që rroga do të vazhdojë ti jepet e plotë. Biduli i ri duhet të kujdesej edhe për vëllezërit dhe motrat më të vogla. Dhe nuk ishin pak, por pesë të tjerë. Sa për kursin aty ishte mjeshtër vetë.
Bashkë me rezultatet e shkëlqyera arrin të fitojë titullin “marinar i parë”.
Lundrimi me anijen – shkollë “Thoma Kalefi” ka lënë te Zijai dhe shokët e tij kursantë mbresa të pashlyera. Për hërë të parë janë njohur me të fshehtat e zanatit në anije, por edhe me bukuritë e brigjeve shqiptare.
“Djalë jashtëzakonisht i shkathët e vozitës shumë i mirë; ndërsa në klasë i qetë për të përfituar sa më shumë nga mësimet e artit detar të lundrimit, shkruan Dashamir Janina, i cili ka ndjekur të njejtin kurs me Zija Bidulin.
Nga Bullgaria në Rumani
Që nga viti 1956 kur lirohet nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak 2-vjeçar Zija Biduli i rikthehet plotësisht detit.
Konsiderohet me fat, kur e dërgojnë në Bullgari. Kishte punuar disa muaj me anijet 500-tonëshe “Butrinti” dhe “Sazani”, ndërsa tani do të kryente praktikën detare për katër muaj me anijen bullgare “Rodina”. Më pas, bashkë me 8 muaj të tjerë në ushtrimin e gjuhës bullgare mbërrin edhe diploma si kryetimonier vapori.
Adoleshenti i kantierit detar tashmë kishte mbetur vite pas.
“Partizani” dhe “Teuta” janë anijet ku më së shumti ka kontribuar Zija Biduli.
Edhe këtu e quan vehten me fat. Kapiten i anijes është Haxhi Shehu, njeriu që do ta kërkojë sa herë që atë e transferojnë për arsye pune në ndonjë anije tjetër. Nga “Teuta” te “Partizani” dhe anasjelltas brenda 13 vjetësh ai ngjitet në detyrë nga marinar, nostromo, oficer i tretë, i dytë e i parë.
Pas një përvoje të gjatë te anija “Mati”, në vitin 1973 Zija Biduli bëhet kapiten i anijes “Butrinti”.
Në vitin 1975 Zija Biduli do të zgjidhet jo më kot si kapiten i ardhshëm i dragës thelluese “Rodon”. Në fakt, edhe ai vetë kishte kërkuar të qëndronte pranë familjes, gjë që me sa duket u morr parasysh.
Anija e specializuar ishtë ndërtuar në Rumani dhe grupi i caktuar si ekuipazh duhet të kryente edhe kursin përkatës në Kostancë. Edhe një herë në rolin e studentit, por këtë herë me një përvojë 25-vjeçare Zija Biduli po i drejtohej një tjetër trajnimi.
Bashkë me të lundronin drejt Kostancës edhe kryemekaniku Minella Kelli, inxhinjeri elektrik Dashamir Luga, si dhe dy mjeshtrat e gërmimit Baki Kotherja dhe Agim Zela. Testimet sipas detyrës kanë vazhduar katër muaj dhe më 25 qershor të vitit 1975 draga thelluese “Rodon”, e shoqëruar nga anija “Partizani” do ti drejtohej Durrësit.
Për 15 vjet me radhë, deri sa doli në pension Zija Biduli drejtoi me kompetencë të plotë mjetin e specializuar, që lehtësoi veprimtarinë portuale në të gjitha drejtimet.
“Mbajtja e thellësive të basenit dhe kanalit hyrës janë pasojë e mundit, djersës dhe sakrificave të të ekuipazhit të dragës, por mbi të gjitha të kapitenit të saj Zija Biduli – nënvizon Dashamir Janina, duke shtuar se draga thelluese ka patur një rol vendimtar edhe në thellimin e e tuneleve të ankorimit në Porto Palermo apo në atë të kanalit që lidh liqenin e Butrintit me detin në jug të vendit.
Zija Biduli doli në pension në vitin 1990, por i rikthehet detit shumë shpejt. Sistemi po ndryshonte dhe një pjesë e madhe e anijeve ishin privatizuar.
Përsëri nga salla e timonerisë ai do të drejtojë anijet “Gjirokastra” ( 1992) dhe “Bruno” (1993-1994).
Më pas ai do të tërhiqet për t’ju kushtuar familjes, pranë së cilës ndërroi jetë në korrik të vitit 2012.