Instituti i Shëndetit Publik dhe Autoriteti Portual Durrës bashkërendojnë zbatimin e masave 24.02.2020

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i APD, z. Pirro Vengu, znj. Silva Bino, shefe e sektorit të epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, Prefekti i Qarkut Durrës z. Roland Nasto dhe përfaqësues të institucioneve lokale shëndetësore,   diskutuan sot paradite në mjediset e APD, mbi bashkërendimin dhe shtimin e masave të kontrollit nga rreziku i koronavirusit në pikëkalimin kufitar të portit më të madh të vendit.

Tashmë në Terminalin e Trageteve, Njësia e përhershëshme e APD për Mbrojtjen e shëndetit, është pjesë e grupit kombëtar të Task Forcës, me anëtarë edhe nga ISHP dhe Drejtoria vendore e Shëndetit Publik.

Nën kujdesin e APD, në sheshin e trageteve është dyfishuar numri i personelit shëndetsor.

8 mjekë, nga APD, institucionet vendore dhe nga Tirana monitorojnë çdo ditë hyrjet e udhëtarëve me tragete nga portet e Italisë.

Të pajisur me mjetet e nevojshme dhe termometra lazer, mjekët dhe personeli mbështetës, përveç parametrave shëndetsorë kontrollojnë gjithashtu edhe itineraret e lëvizjes së udhëtarëve para mbërritjes në portin e Durrësit.

Që nga Njoftimi i parë për rrezikun nga koronavirusi, në portin e Durrësit janë zbatuar në bashkëpunim me ISHP, një sërë masash shtesë, që synojnë mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve vendas dhe të huaj që zgjedhin të lundrojnë me tragetet.