Investimet në infrastrukturë, rrisin sasinë e mallrave të ndërtimit të përpunuara në Portin e Durrësit/ 30 dhjetor 2020

Në 11 muaj përpunohen 160 mijë tonë çimento ose 62 mijë tonë më shumë se në të njëjtën periudhë të 2019-ës

Investimet e rëndësishem që qeveria shqiptare ka realizuar në infrastrukturë, janë pasqyruar edhe në rritjen e mallrave të ndërtimit, të cilat janë përpunuar në Portin e Durrësit gjatë 11 muajve të 2020-ës, e krahasuar kjo me të njëjtën periudhë të 2019-ës.  Sasia e materialeve të ndërtimit që kanë mbërritur me anije tregtare në portin e Durrësit është më e lartë se sa ajo e vitit të kaluar.

Nga të dhënat zyrtare të APD-së, mësohet se importet e materialeve të ndërtimit në 11 muaj kanë patur rritje, veçanërisht në zërat e çimentos dhe hekurit.

Në kalatat e portit, gjatë periudhës janar-nëntor 2020 janë shkarkuar rreth 160 mijë tonë çimento, ose 62 mijë tonë më shumë se sa në 11 muajt e vitit të kaluar. Rritje ka patur gjithashtu edhe në materialin hekur për ndërtim me 88 mijë t, nga 22 mijë tonë për të njejtën periudhë të vitit 2019.

Nga statistikat 11-mujore mësohet se melamina me 66 mijë tonë, llamarinat, profilet, tubat dhe prokatet me 86 mijë tonë gjithsej, si dhe xhamat me 33 mijë tonë kanë mbetur thuajse në të njejtat kuota të vitit paraardhës.

Gjatë këtyre 11 muajve në portin më të madh të vendit, janë përpunuar afro 3,6 milionë tonë mallra të ndryshme gjjithsej.