Janar – gusht 2017: Më pak tragete në 8 muaj, më shumë mallra dhe kamjonë e trajlerë

Në 8 muajt e parë të këtij viti tragetet, bashkë me udhëtarët dhe autoveturat, kanë transportuar afro 526 mijë ton mallra të ndryshme, të ngarkuara në kamjonë dhe trajlerë. Megjithëse numri i lundrimeve në këto 8 muaj ka qenë 680, ose 37 më pak se sa në 8-mujorin 2016, shifrat e mallrave dhe kamjonëve me tragete janë më të larta se sa në vitin e kaluar.

Në periudhën janar-gusht të këtij viti tragetet e linjave Durrës – Bari dhe Durrës – Ankona – Trieste e kthim kanë transportuar 43.907 kamjonë dhe 3.983 trajlerë të ngarkuar me mallra të ndryshme.

Shifrat e përpunuara nga Sektori i Statistikave në APD, janë përkatësisht 10 dhe 9 përqind më të larta se sa numri i kamjonëve dhe trajlerave të transportuar në të njejtën periudhë të vitit 2016.

Edhe volumi i mallrave të transportuar me tragete është 7 përqind më i lartë se sa në 8-mujorin e parë të vitit 2016, kur u transportuan mbi 492 mijë ton mallra.