Janar-korrik 2013, përpunohen 2.1 milion ton mallra -99 mijë ton më shumë se vitin e kaluar- 21 gusht 2013

Në kalatat e portit detar të Durësit gjatë periudhës janar-korrik të këtij viti janë përpunuar 2.1 milion ton mallra, ose 99 mijë ton më shumë se e njejta periudhë e vitit 2012.

Sipas statistikave të drejtorisë së Autoritetit portual (APD), gjatë së njejtës periudhë, gjithnjë krahasuar me 7-mujorin e vitit të kaluar, eksportet “Made in Albania” kanë shënuar një rritje prej 36 përqind, ndërsa rënia e importeve është 13 përqind.

Vetëm gjatë muajit korrik të këtij viti janë përpunuar mbi 364 mijë ton mallra, ose 14 përqind më shumë se korrikun e vitit 2012. Gjatë muajit të kaluar ka patur një tendencë në rritje të importeve, të cilët kanë shënuar një ecuri pozitive prej 19

përqind në krahasim me të njejtin muaj të vitit të kaluar. Sasia e mallrave të përpunuar në hyrje gjatë këtij muaji është mbi 189 mijë ton.

Në periudhën janar-korrik në terminalin përkatës janë përpunuar afro 62 mijë kontejnerë, ose 13.200 kontejnerë më shumë se sa e njejta periudhë e vitit të  kaluar. Në dhjetor të vitit të kaluar shërbimet e këtij Terminali u dhanë në një konçesion 35-vjeçar dhe gjatë këtij viti shifrat e përpunimit janë rritur më tej.

Kontejnerët kanë transportuar mbi 860 mijë ton mallra, ose 41 përqind të sasisë së përgjithshme të mallrave të përpunuara që nga fillimi i këtij viti në portin më të madh të vendit.

Tragetet e linjave përveç udhëtarëve dhe automjeteve kanë transportuar gjatë periudhës janar-korrik mbi 460 mijë ton mallra, duke shënuar një rritje të lehtë në krahasim me vitin paraardhës.