Vëllimi i përgjithshëm i mallrave të përpunuara në portin e Durrësit gjatë pesë muajve të parë të këtij viti është rritur me 5 përqind, krahasuar me të njejtën periudhë të vitit të kaluar.
Rritja më e madhe është regjistruar në sasinë e mallrave të eksportuara, plot 53 përqind, të cilat thuajse janë barazuar në vëllim me mallrat që kanë mbërritur nga porte të tjera me anije ose tragete.
Nga statistikat e Autoritetit portual, mësohet se gjatë periudhës janar-maj 2013, në kalatat e portit më të madh të vendit janë përpunuar 1 milion e 451 mijë ton mallra gjithsej, duke shënuar një rritje prej 74 mijë ton.
Diferenca mes
vëllimit të mallrave të importit dhe eksportit në portin e Durrësit është diçka
më shumë se 42 mijë ton, më e vogla mes tyre në vitet e fundit.
Nga statistikat zyrtare bëhet e ditur se, sasia më e madhe e mallrave në hapësirën portuale është përpunuar në Terminalin e kontejnerëve në masën 585 mijë ton, ose 84 mijë ton më shumë se sa e njejta periudhë e vitit të kaluar.
Tragetet që punojnë në linjat drejt Barit, Ankonës dhe Triestes (Itali) kanë transportuar me trajlerë dhe kamjonë me një sasi të përgjithshme mallrash prej 284 mijë ton, duke mbetur në të njejtat kuota me vitin e kaluar.
Megjithëse numri i anijeve tregtare në portin detar ka qenë më i vogël, përkatësisht 573, sasia e mallrave të përpunuara krahasuar me të njejtën periudhë të vitit 2012 ka qenë 74 mijë ton më e madhe.