Janar–maj 2016: Përpunohen afro 1.4 milion ton mallra, importet rriten 26 përqind

-2.300 kontejnerë TEU më shumë se në periudhën janar-maj 2015-

Në periudhën janar-maj të këtij viti në portin e Durrësit janë përpunuar 1.375.348 ton mallra të ndryshme. Në katër Terminalet e portit janë përpunuar 216 anije tregtare dhe 409 tragete, ndërsa janë ankoruar gjithashtu edhe 5 kroçera dhe 37 jahte.

Nga Sektori i Statistikave nw APD, mësohet se importet nga porti i Durrësit janë rritur me 26 përqind, duke arritur shifrën prej 965.618 ton mallra, ose 202.228 ton më shumë se sa e njejta periudhë e vitit të kaluar. Ndërkaq, eksportet kanë pësuar një rënie prej 28 përqind, ose me 246 mijë ton më pak se sa periudha 5-mujore e vitit 2015.

Vetëm gjatë muajit maj të këtij viti në portin më të madh të vendit janë përpunuar afro 316 mijë ton mallra gjithsej, ose 6 përqind më shumë se sa në maj të vitit 2015.

Në këto pesë muaj në terminalin e DCT janë përpunuar 42.726 kontejnerë TEU, ose 2.298 njësi më shumë se vitin e kaluar. Në pesë muajt e parë të këtij viti tragetet kanë kryer 409 lundrime, ose 44 më shumë se sa në të njejtën periudhë të vitit të kaluar, duke transportuar afro 317 mijë ton mallra gjithsej.

Tragetet e linjave Durrës – Bari, Durrës – Ankona dhe Durrës –Trieste e kthim kanë transportuar gjithsej 215.869 udhëtarë, ose 32.913 udhëtarë më shumë se në 5 – mujorin e parë të vitit të kaluar.