Janar – Maj 2016: Terminali i Mallrave të Përgjithshme, 326 mijë ton mallra të përpunuara

Në Terminalin e Mallrave Gjenerale (TMGj), (që njihet ndryshe edhe si Terminali Perëndimor) gjatë periudhës janar – maj të këtij viti janë përpunuar 112 anije me 326.289 ton mallra gjithsej.

Megjithëse eksportet kanë pësuar një rënie prej rreth 11 mijë ton krahasuar me të njejtën periudhë të vitit 2015, në kalatat e këtij Terminali janë përpunuar 71.157 ton mallra gjithsej më shumë. Eksportet janë përqëndruar te çimento prodhim vendi, dhe makineritë, ndërsa nga mallrat e importit dallohet gruri, hekuri, melamina, ushqimoret, plehrat bujqësore, çimento, etj.

Gjatë periudhës 5-mujore në kalatat e këtij Terminali, që administrohet nga Autoriteti Portual APD, janë përpunuar afro 304 mijë ton mallra importi gjithsej. Në 5 muajt e parë të vitit të kaluar në TMGj kanë mbërritur 82 anije me mallra importi dhe janë nisur 9 të tjera me eksporte, ndërsa në periudhën janar-maj 2016 janë përpunuar 106 anije me importe dhe 6 të tjera me mallra eksporti.

Terminali Perëndimor (TMGj) zë kalatat nga 1-5 me një gjatësi të përgjithshme prej 910 metra si dhe sheshet pas tyre.