Në 5 muajt e parë të këtij viti, në portin e Durrësit kanë kaluar tranzit afro 82 mijë ton mallra të ndryshme, në mbërritje ose në nisje drejt Kosovës.
Nga të dhënat statistikore në Autoritetin Portual, mësohet se gjatë periudhës janar – maj 2019 mallrat ( eksport/import) me destinacion në/nga Kosova kanë arritur shifrën prej 81,482 ton ose 30,039 ton më shumë se sa periudha 5-mujore e vitit 2018.
Hekuri, llamarina, xhamat, melamina dhe qymyri janë mallrat kryesore të importit, që nga porti i Durrësit i janë drejtuar më pas qyteteve të ndryshme të Kosovës.
Sipas të dhënave statistikore, hekuri dhe llamarinat rrotativë me 30.5 mijë ton gjithsej dhe qymyri me 27 mijë ton zenë dy vendet e para në listën e mallrave që i drejtohen Kosovës.
Nga të njejtat burime mësohet se në 5 muajt e parë të vitit 2018 u përpunuan 51,443 ton mallra tranzit gjithsej nga/drejt Kosovës.