Gjatë periudhës janar-mars të këtij viti tragetet e linjave kanë transportuar më shumë udhëtarë dhe mallra se sa në të njejtën periudhë të vitit 2014. Tragetet janë shfrytëzuar nga 115.539 udhëtarë shqiptarë dhe të huaj, një shifër 4 përqind më e lartë se sa 3-mujori i parë i vitit të kaluar – bën me dije sektori i statistikave të APD.
Megjithëse tragetet kanë kryer 9 lundrime më pak se sa e njejta periudhë e vitit të kaluar, shifrat e transportit në 3 muajt e parë të vitit 2015 janë përgjithësisht më të larta se sa ato të periudhës janar – mars 2014.
Sipas të njejtave burime, 72.397 udhëtarë janë nisur me tragete drejt porteve të Barit, Brindizit, Triestes dhe Ankonës (Itali), duke shënuar një rritje prej 10 përqind krahasuar me të njejtin muaj të vitit paraardhës. Numri i udhëtarëve në hyrje ka qenë shumë më i vogël se në dalje, vetëm 43.142 vetë, duke regjistruar një rënie prej 5 përqind.
Statistikat bëjnë me dije se shifrat e udhëtarëve vendas që shfrytëzojnë tragetet kanë shënuar një rritje prej 7 përqind, ndërsa është regjistruar një rënie prej 6 përqind e udhëtarëve të huaj që zgjedhin këtë lloj shërbimi. Rritje prej 8 përqind ka patur edhe në transportin e kamjonëve me tragete, ndërkohë që vihet re një rënie prej 2 përqind në numrin e përgjithshëm të autoveturave.
Gjatë këtij 3-mujori tragetet kanë transportuar 20.123 autovetura dhe dhe afro 15.600 kamjonë dhe trajlerë, ndërsa sasia e mallrave ka arritur në 181.263 ton, ose 4 përqind më shumë se sa në 3 muajt e parë të vitit 2014.