Gjatë periudhës janar-mars të këtij viti tragetet e linjave kanë transportuar 15 përqind më shumë udhëtarë dhe 25 përqind më shumë autovetura se sa në të njejtën periudhë të vitit 2015. Tragetet janë shfrytëzuar nga 133.384 udhëtarë shqiptarë dhe të huaj, një shifër 17.845 udhëtarë më e lartë se sa 3-mujori i parë i vitit të kaluar – mësohet nga sektori i statistikave të APD.
Sipas të njejtave burime, 80.549 udhëtarë janë nisur me tragete drejt porteve të Barit, Brindizit, Triestes dhe Ankonës (Itali), duke shënuar një rritje prej 11 përqind krahasuar me të njejtët muaj të vitit paraardhës. Numri i udhëtarëve në hyrje ka qenë më i vogël se në dalje, vetëm 52.835 vetë, por 22 përqind më i madh se sa gjatë tre muajve të parë të vitit 2015. Statistikat bëjnë me dije se shifrat e udhëtarëve vendas që shfrytëzojnë tragetet kanë shënuar një rritje prej 13 përqind, ndërsa për të huajt është regjistruar një rritje prej 20 përqind.
Rritje prej 3 përqind ka patur edhe në transportin e kamjonëve me tragete, ndërkohë që vihet re një rritje prej 25 përqind në numrin e përgjithshëm të autoveturave. Në tre muajt e parë të vitit 2016 në portin e Durrësit kanë kaluar 25.615 autovetura gjithsej. Tragetet kanë kryer 17 lundrime më shumë se sa e njejta periudhë e vitit të kaluar, por shifrat e transportit të mallrave në 3 muajt e parë të vitit 2016 janë thuajse në të njejtat kuota me ato të periudhës janar – mars 2015.