Zinku rinfuzo, koncentrati i kromit dhe kromi, squfuri dhe çimento rinfuzo janë mallrat kryesore të përpunuara gjatë 11 muajve të parë të këtij viti, dhe që janë transportuar me anije për eksport.
Sipas të dhënave të Sektorit të Statistikave në APD, në 11 muaj eksportet kanë shënuar një rritje prej 16 përqind krahasuar me të njejtën periudhë të vitit 2016, duke regjistruar një sasi të përgjithshme prej 1.241.605 ton mallra.
Ndër mallrat “made in Albania” bie në sy çimento e prodhuar në fabrikat pranë Fushë Krujës, e cila i drejtohet porteve të Maltës dhe atij të Margeras (Itali). Gjatë 11-mujorit janar –nëntor të këtij viti drejt këtyre vendeve janë transportuar më shumë se 295 mijë ton çimento për eksport. Kjo sasi është 6.4 herë më e madhe se sa çimento e përpunuar për eksport gjatë janar-nëntorit 2016.
Kromi e koncentrati i kromit, zinku dhe squfuri, një pjesë e të cilëve tranzit nga Kosova drejt vendeve të tjera kanë regjistruar shifra nga 2-35 mijë ton.
Gjatë periudhës 11-mujore anijet kanë transportuar mbi 360 mijë ton mallra për eksport, ndërsa eksportet me tragete arrijnë në mbi 286 mijë ton.