Janar-nëntor, përpunohen 3 milion e 284 mijë ton mallra 17 dhjetor 2013

Gjatë periudhës janar-nëntor të këtij viti në portin e Durrësit janë përpunuar 37 mijë ton mallra më shumë se sa e njejta periudhë e vitit të kaluar.

Nga të dhënat statistikore të APD-së mësohet se gjatë 11 muajve të parë të vitit në kalatat e portit janë përpunuar afro 3 milion e 284 mijë ton mallra gjithsej. Ndërsa eksporti i mallrave me anije dhe tragete ka shënuar një rritje prej 26 përqind, gjatë kësaj periudhe ka patur një rënie të importeve të përpunuara në masën 14 përqind. Sipas statistikave, 46.8 përqind e mallrave të përpunuar në portin e Durrësit kanë patur destinacione të huaja, ndërsa pjesa tjetër, 53.2 përqind ose 1 milion e 745 mijë ton i përkasin importeve.

Numri i përgjithshëm i kontejnerëve (njësi kontejnerike) që janë përpunuar në 11 muaj arrin në afro 102 mijë gjithsej, duke regjistruar një rritje prej 21.492 njësi krahasuar me të njejtën periudhe të vitit 2012.

Sasia e mallrave të eksportuar me kontejnerë arrin në afro 700 mijë ton, ose 73 mijë ton më e lartë se sa importet e të njejtit lloj-mësohet nga statistikat portuale të 11-mujorit 2013.

Përveç mallrave me kontejnerë, janë përpunuar për eksport më shumë hekur nikel, afro 165 mijë ton si dhe çimento rifuzo dhe me paletë, afro 207 mijë ton të marra së bashku.

Tragetet gjatë periudhës 11-mujore kanë transportuar 655 mijë udhëtarë gjithsej, me një rënie prej 11 përqind. Rënie prej 17 dhe 25 përqind kanë shënuar edhe autoveturat dhe trajlerat e transportuar me tragete, ndërsa numri i kamionëve në të njejtën periudhe është rritur me 7 përqind.