Në portin e Durrësit gjatë periudhës janar-prill të këtij viti janë përpunuar afro 1.1 milion ton mallra të ndryshme, 49 përqind e të cilave janë mallra eksporti. Sasia e mallrave që nisen me anije dhe tragete jashtë vendit thuajse është barazuar me importet.
Sipas statistikave zyrtare, në kalatat e këtij porti janë përpunuar afro 538 mijë ton mallra për eksport, dhe vetëm 18 mijë ton mallra më shumë kanë si destinacion qytete të ndryshme të vendit tonë.
Eksportet përmes portit të Durrësit janë 75 përqind më të larta se sa e njejta periudhë e vitit të kaluar. Në katër muaj në kalatat e portit më të madh të vendit janë përpunuar 445 anije, me një tonazh mesatar prej 6.457 ton secila.
Numri i anijeve të përpunuara është më i ulët krahasuar me të njejtën
periudhë të vitit të kaluar, ndërsa sasia e përgjithshme e mallrave është
rritur me 60 mijë ton, ose 5 përqind më i lartë se sa 4-mujori i parë i vitit
2012-theksojnë burimet statistikore, sipas të cilave kjo mundëson uljen e
kostove të përpunimit.
Vetëm në terminalin e kontejnerëve në këto katër muaj janë përpunuar mbi 443 mijë ton mallra, 55 përqind e të cilave i përkasin eksporteve nga vendi ynë drejt porteve të tjera.
Eksportet nga porti i Durrësit vitet e fundit kanë patur një rritje të ndjeshme. Në të njejtën periudhë të vitit 2010 vëllimi i eksporteve ishte tre herë më i ulët se sa importet.