Janar – prill 2015: përpunohen 80 mijë ton më shumë mallra se para një viti

Në kalatat e portit të Durrësit gjatë periudhës janar-prill të këtij viti janë përpunuar 1.170.000 ton mallra, ose 80 mijë ton më shumë se sa e njejta periudhë e vitit 2014.

Nga statistikat portuale, mësohet se importet zenë 53.52 përqind të vëllimit të mallrave, ndërsa eksportet 46.48 përqind.

Mallrat “made in Albania”që janë nisur nga Durrësi drejt destinacioneve të tjera arrijnë në mbi 519 mijë ton, ose 63.647 ton më shumë se sa janar-prilli i vitit të kaluar. Klinkeri, çimento me paleta dhe llamarina janë mallrat kryesore të eksportuara gjatë këtij 4-mujori.

Anijet kanë transportuar drejt/nga Durrësi mbi 439 mijë ton mallra, ose 60 mijë ton më shumë se periudha 4-mujore e vitit të kaluar. Ndërkaq edhe tragetet kanë transportuar 5 përqind mallra më shumë se sa 4 muajt e parë të vitit 2014, duke arritur shifrën 243.415 ton mallra.

Në Terminalin e kontejnerëve janë përpunuar 434.537 ton mallra, me 32.287 njësi kontejnerike gjithsej, me një rritje prej 1617 kontejnerë.