Në periudhën janar-prill të këtij viti në portin e Durrësit janë përpunuar 1.056.750 ton mallra të ndryshme në anije dhe në tragete.
Nga të dhënat statistikore, mësohet se importet nga porti i Durrësit janë rritur me 30 përqind, duke arritur shifrën prej 768.078 ton mallra, ose 176 mijë ton më shumë se sa e njejta periudhë e vitit të kaluar. Ndërkaq, eksportet kanë pësuar një rënie prej 45 përqind, ose me 238 mijë ton më pak se sa periudha 4-mujore e vitit 2015.
Në listën e importeve dallojmë hekurin me afro 70 mijë ton, nitrati dhe plehu kimik me afro 44 mijë ton, tubat mbi 40 mijë ton dhe llamarina mbi 42 mijë ton, që të gjitha në shifra më të larta se sa në periudhën janar-prill të vitit të kaluar.
Në këto katër muaj në terminalin e DCT janë përpunuar 31.288 kontejnerë TEU, ose 999 njësi më pak se vitin e kaluar.
Mësohet gjithashtu se tragetet kanë transportuar afro 248 mijë ton mallra, ose 2 përqind më shume se sa në 4-mujorin e vitit të kaluar.
Gjatë kësaj periudhe në kalatat e portit më të madh të vendit janë përpunuar 166 anije tregtare dhe 325 tragete gjithsej.
Tragetet e linjave Durrës – Bari, Durrës – Ankona dhe Durrës –Trieste e kthim kanë transportuar gjithsej 174.131 udhëtarë, ose 23.566 udhëtarë më shumë se në 4 muajt e parë të vitit të kaluar.