Gjatë katër muajve të parë të këtij viti në Terminalet e portit më të madh të vendit janë përpunuar 420 mjete lundruese me mbi 1,2 milion të mallra të ndryshme gjithsej.
187 prej tyre janë anije tregtare, ndërsa 233 të tjerë tragete, të cilët megjithë situatën e pandemisë nga Covid-19, nuk i ndërprenë lundrimet për transportin e kamjonëve dhe trajlerëve me mallra – bëhet e ditur nga Sektori I Statistikave në APD.
Shumica e anijeve tregtare, 92 gjithsej, janë akostuar dhe përpunuar në Terminalin e Mallrave Gjenerale, siç njihet ndryshe Terminali Perëndimor – shtuan burimet.
Në periudhën janar-prill, në këtë Terminal janë shkarkuar afro 90 mijë t grurë, 28 mijë t hekur, 29 mijë t llamarinë, 38 mijë t plehra kimike, etj.
Ndërkaq, në Terminalin Lindor janë përpunuar 44 anije me 126 mijë t qymyr koks, 31 mijë t çimento, etj.