Janar – qershor 2015 Durrësi me portet në Egjipt, Turqi dhe Rusi: 61 % e shkëmbimeve tregtare

61 përqind e shkëmbimit të mallrave të import – eksportit në 6 muajt e parë të këtij viti në portin e Durrësit janë kryer me portet e tre shteteve: Turqi, Egjipt dhe Rusi, ndërsa pjesa tjetër realizohet me portet e 14 vendeve të tjera.

Sipas të dhënave të Sektorit të Statistikave në Autoritetin Portual, anijet tregtare që përpunohen në terminalin lindor dhe perëndimor për eksport dhe import kanë realizuar një vëllim të përgjithshëm prej 686 mijë ton mallra.

Porti i huaj në të cilin janë përpunuar më shumë mallra shqiptare dhe anasjelltas është ai i Dekhelias (Egjipt), ku janë shkarkuar 123 mijë ton mallra “made in Albania” dhe janë nisur drejt Durrësit 3 mijë ton mallra të tjerë.

Shtatë porte të Egjiptit dhe 14 të tjerë në Turqi janë pikat e nisjes dhe të mbërritjes së mallrave që janë përpunuar në portin e Durrësit gjatë këtij 6-mujori. Ato zënë secila përkatësisht nga 22 përqind të volumit të përgjithshëm të mallrave që janë përpunuar në Durrës. 17 përqind të mallrave të tjerë shkëmbehen me portet e Rusisë, ndërsa 12 përqind me ato të Libisë, që zë vendin e katërt në shkëmbimet me portin e Durrësit.

Bien në sy shkëmbimet prej 7 përqind të mallrave me portin e Houstonit (SHBA), nga ku kanë mbërritur në Durrës 47 mijë ton mallra.

Portet në Itali, Greqi, Ukrainë dhe Kroaci kanë me portin e Durrësit një shkëmbim prej 4-5 përqind të mallrave secila.

Në këto statistika nuk bëjnë pjesë mallrat me kontejnerë dhe me tragete-përfundojnë burimet e Sektorit të Statistikave.