Janar-Qershor 2017: Përpunohen afro 54 mijë kontejnerë (njësi kontejnerike TEU), 990 më shumë se në 6-mujorin 2016

Gjatë periudhës janar – qershor të këtij viti në portin e Durrësit janë përpunuar 53.908 kontejnerë (njësi kontejnerike – TEU), ose 990 njësi më shumë se sa në shifrat e 6-mujorit të vitit të kaluar.

Nga të dhënat e Sektorit të Statistikave në APD, mësohet se që nga fillimi i vitit 2017 në kalatat e Terminalit përkatës janë përpunuar 91 anije tregtare kontejnerësh, ose 8 anije më pak se sa në të njejtën periudhë të vitit 2016. Megjithatë, numri i kontejnerëve TEU është më i lartë, ndërsa sasia e mallrave të përpunuara me kontejnerë rreth 345 mijë ton më e ulët.

Gjatë muajve maj dhe qershor të këtij viti janë përpunuar përkatësisht 10.018 dhe 10.370 kontejnerë TEU, duke regjistruar numrin më të lartë të kontejnerëve në 6 muajt e parë të këtij viti.

Në 6 mujorin e parë të vitit numri i kontejnerëve për eksport ka shënuar një rritje me 1441 njësi gjithsej, ndërsa importi me kontejnerë ka pësuar rënie me 451 njësi kontejnerike.

Në portin e Durrësit gjatë periudhës janar-qershor 2017 janë përpunuar afro 1.8 milion ton mallra gjithsej.