Janar-shkurt 2015: Më shumë mallra e udhëtarë, më pak anije dhe tragete

Gjatë dy muajve të parë të këtij viti në portin e Durrësit janë ankoruar më pak anije dhe tragete se sa e njejta periudhë e vitit 2014, por vëllimi i mallrave dhe numri i udhëtarëve ka qenë 8 përqind më i lartë.

Sipas të dhënave të sektorit të statistikave, që nga fillimi i vitit në kalatat e portit më të madh të vendit janë ankoruar 220 anije, të cilat kanë transportuar 454 mijë ton mallra. Në dy muajt e parë të vitit 2014 në Durrës janë ankoruar 232 anije, ose 12 më shumë se sa këtë vit, megjithëse sasia e mallrave ka qenë 28 mijë ton më e ulët – shprehen burimet nga sektori I statistikave.

Raporti i importeve me mallrat e eksportit me anije dhe tragete gjatë këtij viti është përmirsuar ndjeshëm. Duke iu referuar të dhënave statistikore, në këto dy muaj 53.11 përqind e vëllimit të përgjithshëm të mallrave i përket importeve, ndërsa vitin e kaluar kjo shifër ishte 57.35 përqind.

Në të njejtën periudhë edhe sasia e mallrave dhe numri i udhëtarëve me tragete janë rritur përkatësisht me 3 dhe 8 përqind, megjithëse mjetet e mëdha lundruese kanë kryer 148 lundrime, ose 7 më pak se sa gjatë janar-shkurtit të kaluar.

Tragetet e linjave të Barit, Ankonës, Brindizit dhe Triestes (Itali) janë shfrytëzuar nga 83.112 udhëtarë me 24.671 automjete gjithsej. Anijet në këto dy muaj kanë transportuar më shumë se 454 mijë ton mallra, ndërsa 114 mijë ton mallra të tjerë janë transportuar me tragete – saktësojnë statistikat portuale.