Gjatë periudhës janar-tetor të këtij viti tragetet janë shfrytëzuar nga 670.462 udhëtarë shqiptarë dhe të huaj, një shifër vetëm 1 përqind më e ulët se sa e njejta periudhë e vitit të kaluar.
Nga të dhënat operative të APD-së mësohet se tragetet kanë transportuar afro 612.629 ton mallra, nga të cilat mbi 231 mijë ton mallra për eksport. Tragetet në këto 10 muaj kanë kryer 78 lundrime më pak, por shifrat e transportit të mallrave në këtë periudhë janë 1 përqind më të larta se sa ato të periudhës janar – tetor 2014.
Sipas të njejtave burime, afro 380 mijë udhëtarë janë nisur me tragete drejt porteve të Barit, Brindizit, Triestes dhe Ankonës (Itali), duke shënuar një rritje prej 4 përqind krahasuar me të njejtën periudhë të vitit paraardhës. Numri i udhëtarëve në hyrje ka qenë më i vogël se në dalje, me afro 299 mijë.
Statistikat bëjnë me dije se shifrat e udhëtarëve vendas që shfrytëzojnë tragetet kanë shënuar një rritje prej 4 përqind, ndërsa është regjistruar një rënie prej 14 përqind e udhëtarëve të huaj që zgjedhin këtë lloj shërbimi. Rritje prej 2 përqind ka patur edhe në transportin e kamjonëve me tragete, ndërkohë që vihet re i njejti numër autoveturash në të dy periudhat 10-mujore.
Gjatë këtij 10-mujori tragetet kanë transportuar 132 mijë autovetura dhe mbi 52 mijë kamjonë dhe trajlerë.