Janar-tetor 2016: Afro 744 mijë udhëtarë dhe 629 mijë ton mallra me tragete

–    Tragetet, shifra më të larta se në 10-mujorin 2015 –

Gjatë periudhës janar-tetor të këtij viti tragetet janë shfrytëzuar nga 743.586 udhëtarë shqiptarë dhe të huaj, një shifër 11 përqind më e lartë se sa e njejta periudhë e vitit të kaluar.

Nga të dhënat operative të Sektorit të Statistikave mësohet se tragetet kanë transportuar afro 628.909 ton mallra, 3 përqind më shumë se në të njejtën periudhë të vitit 2015. Tragetet në këto 10 muaj kanë kryer 875 lundrime gjithsej, ose 16 më pak se në janar-tetor të vitit të kaluar. Megjithatë shifrat e transportit të mallrave në këtë periudhë janë 16.280 ton më të larta se sa ato të periudhës janar – tetor 2015.

Sipas të njejtave burime, numri i udhëtarëve dhe autoveturave në hyrje në portin e Durrësit ka qenë më i lartë këtë vit me përkatësisht 18 përqind për të dy zërat. Ndërkaq, megjithëse vazhdojnë të jenë më të larta krahasuar me hyrjet, shifrat 10-mujore për udhëtarët dhe autoveturat që nisen me tragete nga Durrësi nuk tejkalojnë më shumë se 5 dhe 13 përqind shifrat e vitit të kaluar. Numri i përgjithshëm i autoveturave që kanë shfrytëzuar tragetet këtë 10-mujor arrin në 152.750 copë gjithsej, ose afro 21 mijë më shumë se në të njejtën periudhë të vitit të kaluar.

Në të njejtën periudhë tragetet kanë transportuar mbi 50.500 kamjonë dhe trajlera.